http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Jo më larg se gjashtë muaj më parë, me nisëm e Bankës së Shqipërisë, kodi i procedurës penale u ndryshua me qëllim lehtësimin e kushteve kur bankat duan të ekzekutojnë një kredi të keqe. Kështu, në rastin kur kredia kalon 365 ditë pa paguar asnjë këst, banka i drejtohej Gjykatës së shkallës të parë për të kthyer kolateralin e cila p.sh mund të ishte një shtëpi, në titull ekzekutiv. Por ky titull quhej i pezulluar në rast se pronari i shtëpisë e apelonte çështjen. Ndryshimet e reja reflektuan që vendimi i shkallës së parë të mos pezullohej, por banka të merrte paratë nga kjo pronë edhe nëse çështja vijonte në Gjykatën e shkallës së dytë. Por pikërisht këtu kanë filluar problemet e tjera. Përmbaruesit thonë se pasuritë që ata nxjerrin për shitje në ankand po krijojnë pasiguri te blerësi, pasi shumë vendime të Gjykatës së Apelit rrëzojnë vlerën e pronës që vendos Gjykata e faktit. Ekonomistët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të këtij problem, sipas tyre ky fenomen do të ulë kredidhënien, do të shtojë kreditorët e këqij dhe do të sjellë pasoja negative në ekonomi. Por nga ana tjetër ekspertët thonë se duhet të marrë fund koha kur bankierët japin kredi për biznese që njohin. Një tjetër problem i cili mund të lerë dyshime për interpretime të njëanshme nga ana e Gjykatës është përzgjedhja e ekspertit që bën vlerësimin e kolateralit. Përmbaruesit kërkojnë që përzgjedhja të bëhet me short. Nga ana e tyre bankat e nivelit të dytë ia kanë shprehur disa ditë më parë këtë shqetësim Ministrisë së Financave, ku janë ankuar se në shumë raste nga ana e gjyqësorit ka vendime të njëanshme. Deri tani vlera e kredive me probleme ka shkuar në 1 miliard euro ku 80% e kësaj shume është e mbuluar me kolateral. Por se sa është në total kolaterali që konsiderohet i humbur dhe bankat nuk e ekzekutojnë për shkak të avarive në gjykatë, kjo shifër nuk publikohet nga ana e Bankës Qendrore.