TIRANË - Autoritetet shqiptare kanë vendosur të blindojnë kufirin në dalje për të parandaluar në maksimumin e mundshëm tentativat e personave të ndryshëm për t?u larguar nga Shqipëria për qëllime azil kërkimi.
"Sot jemi duke inspektuar masat e policisë në kuadër të parandalimit të lëvizjeve të qytetarëve shqiptarë për azilkërkim. Ne jemi në një bashkëpunim dhe partneritet me policinë gjermane, por dhe me të gjithë autoritetet e tjera të Bashkimit Evropian duke i siguruar qytetarët shqiptarë që lëvizje të tilla i penalizojnë pasi djegia e mundësisë së tyre për lëvizje të lirë dhe liberalizim të vizave i kushtëzon ata dhe i krijon një penalitet që nuk i jep mundësinë e lëvizjesh së mëpasme", - tha Çako
Ndërkaq veç oficerëve shqiptarë që do të kontrollojnë kufirin, ata do të bashkëpunojnë edhe me oficerë të Policisë Gjermane që do të monitorojnë kalimin kufitar të qytetarëve
"Do të ketë shkëmbim informacioni mes oficereve te policisë shqiptare dhe atyre gjermane. Kjo do të shërbejë si një shkëmbim eksperiencash, ku ne do tju tregojmë se si punohet në gjermani", - tha oficeri gjerman.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, inspektoi nga afër procesin e kalimit kufitar të qytetarëve.
Masat kanë të bëjnë me intervistimin dhe riintervistimin e personave të dyshuar, apo me verifikime të ndryshme që mund të bëhen nga policia kufitare në aeroport, apo pika të tjera të kalimit kufitar.
Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme gjermane, azilkërkuesit shqiptarë zënë vendin e dytë me 17.8 për qind pas sirianëve me 22.3 %. Pas shqiptarëve renditen afganët, irakenët dhe kosovarët.