TIRANE- Një shkresë e dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për llogari të hetimit të trafikut të drogës me avionë, tregon se gjatë vitit 2013 janë ulur në Rinas rreth 650 avionë të vegjël ndërkohë që vetëm për tre mujorin e 2014 në këtë aeroport janë ulur rreth 250 avionë. Bashkangjitur me shkresën, janë dërguar në prokurori dhe komunikimet që kanë pasur pilotët e huaj me kullën e kontrollit të "Alb-controll".
Sipas burimeve të prokurorisë, të gjitha rastet do të verifikohen me imtësi, ndërkohë që shumë kontrolle janë kryer në dhjetra banesa në zonën e Gjadrit dhe në Fushë-Krujë, aty ku Saimir Bajrami (Bego) ka deklaruar se kishte blerë sasinë e drogës prej mbi 200 kilogramë. Këto kontrolle sipas akuzës janë bërë mbi bazën e informacionit që Shërbimi Informativ Shtetëror ka paraqitur gjatë kësaj kohe në prokurori.
Vetëm në Rinas
Zyrtarisht drejtuesit e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Alb-controllit i kanë thënë hetuesve se në asnjë rast nuk është identifikuar ndonjëri nga këto avion, që është ulur në ndonjë pistë tjetër, përpos asaj të Rinasit. Nga ana tjetër, referuar materialit që ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami e ka dorëzuar në Prokurori në lidhje me trafikun e drogës, hetuesit thanë se për t'i administruar në cilësinë e provës materiale, këto deklarime deputeti duhet t'i jap para prokurorëve. Një gjë e tillë tregon se në ditët në vazhdim, referuar kësaj praktike ligjore, pritet që ish-ministri Imami të ftohet në prokurori për të dhënë versionin e tij për deklaratat që bëri në parlament.
HETIM BASHKEPUNETOREVE
Në materialin hetimor që prokuroria Doloreza Musabelliu i ka referuar gjykatës, nënvizohet izolimi në qeli të dy personave të arrestuar për shkak se tashmë kjo çështje po investigohet për të zbuluar bashkëpuntorët e tjerë. Sipas prokurorisë, ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se Riformato dhe Bajrami kanë bashkëpunuar dhe me persona të tjerë në Itali dhe Shqipëri, me qëllim organizimin e trafikimin të lëndës narkotike me avion. Dyshime flasin se të implikuar në këtë rrjet janë disa persona nga zona e Krujës, të cilët kanë pasur komunikime të vazhdueshme në internet dhe telefon me shtetasin Saimir Bajrami.
Sipas akuzës, ky i fundit së bashku me disa persona të tjerë në Shqipëri, ka mundur të sigurojë lëndën narkotike disa muaj më parë dhe më pas, ka vendosur të udhëtojë në Shqipëri për realizimin e trafikut të saj në Itali.