TIRANE - Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi prezantoi sot në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale pesë projekte të qeverisë për ndarjen e re administrative të Shqipërisë. Ndërsa kryeministri Rama, prezent në komision, përmes një postimi në Twitter e ka cilësuar si një hap drejt reformimit radikal të vendit.
Çuçi shpjegoi para komisionit të gjithë procesin e evidentimit të zonave funksionale në Shqipëri dhe më pas prezantoi në detaje projekt-hartat me 30, 39, 47, 57 dhe 63 njësi të qeverisjes vendore. Sipas ministrit Projekt-hartat janë strukturuar bazuar në kriteret teknike të miratuara nga Komisioni Parlamentar, duke identifikuar fillimisht zonat funksionale brenda kufijve të rrethit ose disa rretheve dhe duke analizuar treguesit e ndërveprimit midis banorëve dhe institucioneve, ndërveprimit ekonomik dhe aksesit të komunitetit në shërbime.
Pas përfundimit të prezantimit të projekteve nga Ministri Çuçi lidhur me variantet e reformës administrativo-territoriale, kreu i komisionit të posaçëm i kësaj reforme, Bashkim Fino i bëri sërish ftesë opozitës që të japë pëlqimin e saj për variantet e paraqitura pasi sipas tij nuk kanë asgjë politike, ndërsa shtoi se procesi gjatë gjithë kohës ka qenë transparent.
Ndër të tjera Fino theksoi se javën e ardhshme do të publikohet harta përfundimtare e cila do të prezantohet përgjatë dy muajve në vijim nëpër të gjitha rrethet.
Ky prezantim u bë përpara deputetëve të komisionit dhe ku u dhanë edhe direktivat e radhës nga ana anëtarëve për ndarjen e re të Shqipërisë. Por këto harta të reja do të kenë një numër shumë më të ulët të njësive vendore se ç'ka aktualisht vendi pasi kriteri i përcaktuar nga komisioni është se çdo njësi vendore nuk duhet të ketë më pak se 30 mijë banor, si dhe do të ndikojë direkt në përcaktimin e komunave dhe bashkive të reja të vendit.
Konkretisht sipas Kushtetutës, një reformë e tillë kërkon 22 muaj konsultime në terren dhe sipas të gjitha gjasave, ndarja e re e Shqipërisë do të bëhet në datën 16 korrik, në fundin e këtij sesioni parlamentar. Komisioni i Posaçëm Parlamentar pasi të shqyrtojë gjatë javës në vijim pesë versionet e propozuar do të miratojë njërën prej tyre. Kjo projekt-hartë do të diskutohet dhe konsultohet përmes një procesi gjithëpërfshirës me aktorët vendorë dhe komunitetin në mbarë vendin përgjatë dy muajve në vijim.
RAMA: HAP I RI DREJT REFORMIMIT RADIKAL TE VENDIT
Kryeministri Edi Rama, prezent në komisionin për reformën territoriale, ku u bë prezantimi i 5 projekteve të kësaj reforme, ka shkruar në Twitter duke e cilësuar këtë si një hap të ri drejt një reformimi radikal të vendit.
"Prezantohet në Kuvend projekti i Reformës AdministrativeTerritoriale. Hap i ri drejt një reformimi radikal të vendit", shkruan kryeministri Rama përmes rrjetit social Twitter.