Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar sot takimet zyrtare në Shkup. Ai është pritur me nderime ushtarake dhe shtetërore nga kryeministri Gruevski në selinë e qeverisë. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit Shefi i qeverisë shqiptare theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndëretnike, si një sukses i përbashkët i shqiptarëve.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama është përqëndruar tek çështjet e shqiptarëve, marrëdhëniet ndëretnike dhe procesin e domosdoshëm të integrimeve euroatlantike të të dyja vendeve.
"Shqipëria është e interesuar për një marrëdhënie intensive me fqinjët dhe në këtë rast, me Maqedoninë, në të gjitha planet. Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur që të hapim rrugë të reja në këtë bashkëpunim dhe të forcojmë bashkëpunimin ekonomik me ide dhe projekte konkrete zhvillimi të përbashkët. Nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se viti i ri 2014 është i pari vit i ri në historinë e rajonit tonë që vjen pa konflikt. Është e para vigjilje e vitit të ri, ku çdo njëri do të jetë në shtëpinë e tij dhe nuk do të ketë pushkë të drejtuara kundër fqinjit. Paqja në rajon ka hyrë në një proces tërësisht të ri me marrëveshjen mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë. Dhe për ne, kjo është një dritare e re e madhe mundësish për zhvillim rajonal, ekonomik e social dhe na takon ne të gjithë qeverive të rajonit që këtë mundësi të madhe ta kthejmë në mirëqenie për njerëzit tanë", u shpreh kryeministri Rama.