A1 Report - Trajnimet e administrates, Rama: Sfide per rrugen e integrimit ne BE

Report TV 2015-08-22

Views 1

TIRANE - Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ishin sot të pranishëm në sesionin e parë të trajnimeve me disa nga institucionet e administratës publike që kanë marrëdhënie direkte me sipërmarrjen dhe qytetarët, ku theksuan rëndësinë e këtij procesi në rrugën e integrimit evropian.

Në fjalën e tij kryeministri Rama, e quajti kualifikimin e vazhdueshëm "një vlerë të shtuar" duke theksuar bindjen e besimit në këtë proces.

"Në qoftë se po bëni shumë punë, atëherë për të njëjtën energji që po harxhoni mund të bëni dyfishin e rezultatit, në qoftë se do të jemi në gjendje që të gjithë këtë proces ta kthejmë në një proces kualifikimi të gjithë administratës. Në qoftë se do të jemi në gjendje që të gjithë atyre që vijnë te dera e administratës doganore, tatimore apo të tjerave si vartësit tuaj, t'i japim mundësinë të ndjehen të dobishëm. Është një histori e tërë që duhet të ndryshojë dhe të jeni të sigurt që mund të ndryshojë vetëm nëse ne e besojmë këtë proces, vetëm nëse investohemi në këtë proces. Kjo do të bëj që profesionalisht secili prej jush të rritet." tha kryeministri Rama.

Duke vazhduar më tej kryeministri shtoi se trajnimi do të rrisë edhe efiçencën e administratës.

"Kompanitë e trajnuara apo që investojnë për trajnimin kishin rritur të ardhurat e tyre mbi 40%, kompanitë që nuk kishin investuar për trajnimin kishin rënë 22%. Shtetet që trajnojnë më shumë kanë performancë më të lartë, shtetet që trajnojnë më pak kanë performancë më të ulët. Shtetet që lindin të trajnuar dhe që nuk mendojnë më kurrë se kanë nevojë të trajnohen, rrinë në fund dhe bëjnë sikur janë të parët." përfundoi Rama.

Ndërkohë nga ana e saj minstrja Gjosha tha se trajnimi është i rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit në BE.

"Në këtë proces ku ndodhet sot Shqipëria, trajnimet tuaja janë me të vërtet shumë të nevojshme, për një arsye thelbësore sepse vërtet në muajin qershor ne kërkojmë statusin kandidat, por shumë shpejt Shqipëria do të hyjë dhe në procesin e negociatave ku kërkohet ekspertizë dhe profesionalizëm. Ndërtimi i institucioneve shqiptare do të jetë dhe prioriteti bazë, që do të na bëjë ne nesër një shtet të sigurt me standardet evropiane, atë që kërkojmë të gjithë sëbashku ta ndërtojmë sot." u shpreh Gjosha.

E gjithë administrata publike është futur në një proces trajnimi për të rritur performancën. Trajnimet e administratës publike do të jenë të vazhdueshme për të mundësuar përballimin e sfidave në rrugën e integrimit të plotë të vendit.

Share This Video


Download

  
Report form