Korça ka qenë qyteti i radhës ku kreu i qeverisë Edi Rama ka marrë pjesë në përurimin e ambientit të ri të zyrës së punësimit. I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri Erion Veliaj, Rama e ka vlerësuar bashkëpunimin me sipërmarrjen si të vetmen mundësi reale të punësimit për qytetarët.
Kryeministri Rama ka theksuar se ka ardhur koha për t'i dhënë fund shkatërrimit të shtetit përmes punësimit të personave që janë punësuar pa asnjë lidhje me punën që bëjnë në administratë. Zyrat e punësimit sipas kreut të qeverisë janë mënyra më e mirë për të bërë realitet shifrat e premtuara për punësimin. Rama ka thënë se që prej fillimit të këtij viti janë hapur 32 mijë vende të reja pune, shifër e cila nga dita në ditë ritet.
"Vetëm në 4 muajt e parë të vitit janë hapur 5 mije vende pune në 6 zyra, kemi 3- fishuar fondet e nxitjes se punësimit. Numri i kompanive që kanë aplikuar për të përfituar nga fondi i punësimit është 5-fishuar. S'kemi ardhur në qeveri të punësojmë në shtet 1 milion të papunë që na la Saliu. Kemi ardhur në qeveri që të hapim e garantojmë rrugën e re të punësimit", ka thënë Rama.
Ndërkohë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tha se simbolika e të kthyerit të një kazinoje në zyrë pune është shumë e fuqishme dhe se në këto muaj INSTAT-i ka konfirmuar 32 mijë të punësuar më shumë. Sipas tij, rezultati i parë i zyrës së punës në Korçë janë 100 të papunë, të cilët nisin punë këtë javë.