Kryeministri Edi Rama përshëndeti konferencën për luftën kundër kancerit të gjirit, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të grave dhe popullatës në tërësi për këtë sëmundje.
"E kam jetuar edhe njëherë dhe unë dhe shumë pranë, në qenien e një mike të shtrenjtë që në fund e fitoi betejën kundër kancerit të gjirit. Më pas këtë fillimviti një tjetër rast, dhe se fundi një rast i tretë pak javë më parë, e kanë risjellë në jetën time, këtë sëmundje të shumëpërhapur. Dy gjëra janë të parat që vijnë ndërmend kur ndeshim një rast të tilë, e para që ky është një prej llojeve të kancerit që munden më shpesh, dhe e dyta që ky sështë një lloj kanceri që nëse kapet në fazat e para, mund të mundet pa përpjekje të mëdha. Duhet të diagnostifikohen rastet në hershmëri. Është frika nga e panjohura, ose frika se mos e ke vërtet në trup, që paralizon hapat drejt kontrollit parandalues. Asnjë arsye nuk është e vlefshme për të mos u kontrolluar, duhet që femrat të angazhohen vetë për të parandaluar rrezikun", u shpreh kryeministri.
"Qeveria, organizma të ndryshme joqeveritare dhe aktorë të tjerë, duhet të angazhohemi për të rritur nivelin e informimit për kancerin e gjirit, dhe për të ngulitur në vetëdijen e grave rrezikun e kësaj sëmundje, dhe rëndësinë e kontrolleve të shpeshta. Të gjitha gratë dhe vajzat duihet ta mësojnë se kanceri i gjirit është i parandalueshëm dhe i shërueshëm, përpara se të shtrijë rrënjët në gjirin e gruas. Është një reflektim, për numrin e lartë të vdekjeve nga kjo sëmundje, dhe rëndësinë e depistimit të saj në fazë të hershme", u shpreh kreu i qeverisë.
"Po kështu janë një sërë faktorësh që ndikojnë dhe duhen rishikuar. Shumë gra e vajza nuk kanë mundësi për depistimin e kësaj sëmundje. Është një betejë e vështirë, por ende jo e pamundur. Heqja e kancerit të gjirit, është heqja e një pjese të trupit, dhe plaga e krijuar është sa fizike, aq edhe thellësisht shpirtërore. Kjo nuk është vetëm një betejë për jetën, por edhe feminilitetin pa asnjë dyshim", tha Rama.