Ka dy dëshmitarë që besohet se mund të kenë njohur autorët dhe këta persona janë marrë në mbrojtje. Për policinë ata konsiderohen çelësi i zbardhjes së ngjarjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor kanë qenë dy autorë, ku fillimisht 30-vjeçari është qëlluar nga një distancë më shumë se 30 metër, pasi ishte mbi kalë dhe më pas atentatorët janë afruar përsëri dhe e kanë qëlluar nga afër, rreth 15 herë. 10 të shoqëruarit e tjerë në polici, nuk kanë dhënë detaje që mund të zbulojnë personat që vranë 30-vjeçarin.
Autorët i kanë marrë Arjan Ferracakut portofolin dhe telefonin, dhe këtë gjë dyshohet se e kanë bërë që ngjarja të duket si grabitje. Por fakti që kanë qenë dy persona, që e kanë qëlluar fillimisht nga larg dhe më pas nga afër, tregon se kemi të bëjmë me një vrasje mafioze.
Me vrasjen e 30-vjeçarit Shkodra tronditet për herë të 6 brenda pak muajve. Balancat në këtë qytet janë prishur që me atentatin që iu bë Lulzim Kullës më 13 janar 2018. Më pas kemi të vrarë në 18 qershor, 60-vjeçarin Mehdi Kavaja. Ai u qëllua me një plumb në kokë brenda një servisi dhe vrasja dyshohet se është bërë pasi nuk u pagua gjoba.
Në korrik 2018 vrasjen e ish-policit, Boran Bërcana dhe bashkëjetueses së tij Silvi Ndoci, te ekzekutuar brenda një makinë. Më pas në muajin gusht është vrarë kunati i Lulzim Kullës, Fatbardh Lici. Edhe në këtë vrasje pistat e hetimit, janë përqëndruar të përplasja mes bandave. Hetuesit dyshojnë se Arjan Ferracaku është vrarë nga e njëjta dorë që u ekzekutuan edhe Boran Bërçana, Silvi Ndoci, Fatbardh Lici dhe Mehdi Kavaja.
Ndërkohë pak ditë më parë në Shkodër janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë Gëzim Hysa dhe Agron Mollaj. Nuk përjashtohet pista e vrasjes apo ndonjë konflikti që ata mund të kenë patur. 5 të vrarë dhe dy të zhdukur brenda pak muajve në Shkodër, ngre alarmin se në këtë qytet përplasjet mes bandave kanë marrë përmasa të mëdha. Situata bëhet edhe më e rëndë pasi asnjë prej këtyre vrasjeve nuk është zbardhur nga policia. Situata në Shkodër ka detyruar për të dytën herë të çojë atje vetë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu.