Vrasja e Arjan Ferracakut në Shkodër, është vazhdim i një sërë atentatesh dhe ekzekutimesh në këtë qytet. Report Tv mëson se pista kryesore ku janë përqëndruar hetimit e Policisë, lidhet me një ngjarje të një viti më parë. Arjan Ferracaku dhe familja e tij janë pronarë të Hotel ?Fantazia? në Shkodër dhe një vit më parë janë përfshirë në një konflikt me biznesin fqinj.
Konflikti sipas burimeve nga Policia e Shkodrës ka qenë i përmasave të mëdha pranë këtij Hoteli, i cili ndodhet pranë Urës së Bunës, aq sa është dashur ndërhyrja e Policisë.
Gjithashtu burime nga Policia e Shtetit i thanë Report Tv se ka dyshime që ndaj Arjan Ferracakut të jetë vendosur gjobë nga një grup kriminal në Shkodër i cili është shumë aktiv kohët e fundit. Por kjo gjobë jo vetëm nuk është paguar nga 30-vjeçari, por ai madje as nuk e kishte marrë parasysh. Vrasja e Arjan Ferracakut sipas të dhënave nga grupi hetimor, besohet se është ndërmarrë nga një grup kriminal, i mirëstrukturuar në Shkodër. Policia ka të dhëna për këtë grup, emrat e të cilëve vitin e fundit janë përmendur edhe publikisht, por deri më tani nuk ka persona të shoqëruar nga ata. Arjan Ferracaku ishte një emër i njohur në qytetin verior dhe është nipi i ish deputetes së Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi po ashtu edhe kushëriri i ish-deputetes së majtë, Mirela Ferracaku.
Ka dy dëshmitarë që besohet se mund të kenë njohur autorët dhe këta persona janë marrë në mbrojtje. Për policinë ata konsiderohen çelësi i zbardhjes së ngjarjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor kanë qenë dy autorë, ku fillimisht 30-vjeçari është qëlluar nga një distancë më shumë se 30 metër, pasi ishte mbi kalë dhe më pas atentatorët janë afruar përsëri dhe e kanë qëlluar nga afër, rreth 15 herë. 10 të shoqëruarit e tjerë në polici, nuk kanë dhënë detaje që mund të zbulojnë personat që vranë 30-vjeçarin.