Për shpërthimin e eksplozivit në banesën e Gazmir Dacit, policia e Tiranës ka shoqëruar 3 persona të dyshuar. Ata janë ndaluar nga uniformat blu dhe mbahen në qeli, por ende nuk ka prova që i lidhin me ngjarjen. Burime nga Policia e Tiranës thotë se në vendin e ngjarjes nuk është lënë asnjë provë dhe se hetuesit po punojnë për të gjetur pronarin e makinës me të cilin autori mbërriti pranë banesës së familjes Daci, hodhi lëndën shpërthyese dhe më pas u largua me shpejtësi.
Gjithashtu Policia po mban në vëzhgim familjen Kolaveri, me të cilën familja Daci ka konflikt prej vitit 2015. Hetuesit sqarojnë për Report TV se deri më tani nuk është shoqëruar asnjë prej anëtarëve të familjes Kolaveri, por është zgjedhur që të vëzhgohen lëvizet e tyre ditët e fundit. Për sa i përket lëndës shpërthyese dyshohet se ajo është përgatitur në mënyrë artizanale dhe më pas është hedhur pranë banesës së familjes Daci.
Aktualisht hetuesit janë përqendruar te pista e hakmarrjes, pasi në 2015 Gazmir Daci vrau Valmir Kolaverin dhe plagosi rëndë vëllain e tij Robert Kolaverin. Një vit më pas djali tjetër i familjes Kolaveri, Ergys Kolaveri i bëri atentat në burgun e Vaqarrit Gazmir Daci, por pa sukses. Këto vrasje dhe plagosje kanë bërë që oficerët e krimeve të rënda të mbajnë në vëzhgim të rreptë familjen Kolaveri.