Kanë kaluar 4 ditë nga afati zyrtar që Ministria e Drejtësisë u kishte lënë tre kompanive që prodhuan 300 byzylykë të mbikëqyrjes elektronike me vlerë 2 milionë euro, për t?i kthyer ato pranë këtij institucioni.
Në përfundim të afatit, kompanitë nuk i kanë kthyer këto pajisje në ministri, por në një shkresë dërguar Bardhit në 31 korrik e cilësojnë kërkesën si presion dhe me qëllime korruptive.
Report Tv ka zbardhur kontratën mes ministrisë dhe kompanisë për byzylykët dhe aktin e Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë që ia dorëzon kompanisë.
Report Tv zbardh kontratën e byzylykëve: Shërbimi në ministri
Zbardhet kontrata mes Ministrisë së Drejtësisë dhe bashkimit të tre operatorëve që do të sillnin 300 byzylykë me vlerës 2 milionë euro për mbikëqyrjen e personave me precedentë penalë.
Report TV siguron një kopje të kontratës, në të cilën në asnjë rast nuk thuhet që kompanitë prodhuese duhet të mbajnë byzylykët. Në kontratë specifikohet se i gjithë shërbimi do të kryhet në Ministrinë e Drejtësisë.
I vetmi rol që kompanitë kanë pas dorëzimit të materialeve, është se ato bëjnë montimin e tyre në këmbën e të proceduarit, në prani të një punonjësi të shërbimit të provës.
Pra, kontrata nuk thotë që këto byzylykë administrohen nga tre kompanitë. Por pavarësisht se kontrata mes ministrisë nuk e thotë këtë, Drejtoria e Shërbimit të Provës, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, në 11 prill ka nënshkruar këtë akt dorëzimi, përmes të cilit i jep 300 byzylykë bashkimit të tre operatorëve ekonomike: Soft Solution, Fastech dhe Ratech.