10 naftëtarë të Ballshit janë futur në grevë urie pasi kanë 5 muaj pa u paguar nga kompania. Gjatë diskutimeve mes punonjësve të uzinës dhe përfaqësuesve të kompanisë nuk u arrit një marrëveshje, duke detyruar që 10 nga punonjësit të ndërmarrin një vendim të vështirë dhe të hyjnë në grevë urie.
Kompania ka propozuar që naftëtarët të nënshkruajnë një kontratë të re pune nga 1 Marsi, por pa njohur borxhet e prapambetura, pra pa u kompensuar pagat e 5 muajve të kaluar. Kjo nuk është pranuar nga naftëtarët, të cilët në mbështetje të grevës së urisë së punëtorëve të Pompimit në Poçem, janë vendosur në mjediset e qendrës shëndetësore pranë uzinës së naftës.
Naftëtarët e Ballshit i kishin lënë afat kompanisë sot deri më 14:30, por mosarritja e marrëveshjes, caktoi dhe nisjen e grevës urisë për 10 punonjësit e uzinës së naftës. Nga ana tjetër punëtorët e Poçemit hyjnë në ditën e 5 të rezistencës pasi kanë 23 muaj pa marrë pagat e tyre, ndërsa disa prej të cilëve kanë shfaqur probleme shëndetësore.