TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka lënë 24 orë afat PD-së për të plotësuar listën e kandidatëve për deputetë dhe dokumentacionin shoqërues për të 12 qarqet e vendit.
PD ka dorëzuar një listë me 94 emra nga 140 zona zgjedhore në të gjithë vendin, ndërsa emrave të kandidatëve u mungojnë të dhënat elementare si atësia, datëlindja apo dhe formulari i dekriminalizimit, një tjetër kriter bazë ky për të bërë të vlefshëm kandidimin në 25 Qershor. Gjithashtu, PD nuk ka respektuar as barazinë gjinore, një tjetër detyrim ky i Kodit Zgjedhor.
Propozimi pë t'i lënë 24 orë afat PD-së ishte i përfaqësuesit të LSI, i cili u miratua me 4 vota të anëtarëve të KQZ, ndërsa u kundërshtua nga përfaqësuesit e majtë në KQZ.
Mbledhja e KQZ u shoqërua me mjaft debate. Juristi i PS në KQZ, Eridian Salianji kërkoi miratimin e listës me 94 emra, aq sa edhe ka dorëzuar PD, por ky qëndrim hasi në kundërshtimin e kryetarit të KQZ, Klement Zguri. Sipas Zgurit, PD mund t'i bëjë ndryshime listës deri në momentin kur ajo të miratohet nga KQZ.
Emrat e kandidatëve pa gjeneralitete e deklaratë dekriminalizimi
Partia Demokratike ka dorëzuar një listë të cunguar të kandidatëve për deputetë. Si të mos mjaftonin vetëm 94 emrat, nga 140 në tërësi, lista e kandidatëve nuk shoqërohej me fotokopjen e kartës së identitetit, me atësinë dhe ditëlindjet e kandidatit si dhe formularin e dekriminalizimit.