Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Abedin Oruçi ka paditur penalisht Sekretarin për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji pasi ky i fundit e ka akuzuar si të dënuar për prostitucion.
Kreu i Qarkut, menjëherë pas deklaratës që Salianji ka bërë nga çadra e opozitës përpara kryeministrisë, i është drejtuar Gjykatës ku përmes një kërkesë padie ai kërkon përgënjeshtrimin e kësaj deklarate nga Salianji si dhe dëmshpërblimin moral ndaj tij.
Në një deklaratë për mediat, Oruçi, sapo ka dalë nga Gjykata, ka deklaruar se ai kurrë nuk është dënuar nga asnjë gjykatë dhe se është zgjedhur për katër mandate si kryekomunar e aktualisht ushtron detyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut.
Oruçi shton se, ka plotësuar edhe formularin e Dekriminalizimit dhe se autoritetet kanë verifikuar të gjithë aktivitetin e tij, nga ku ka rezultuar se ai nuk ka qenë asnjëherë i dënuar nga drejtësia.
Oruçi ka shtuar se, shpifje të cilat njollosin personalitetin, dinjitetin dhe punën e të tjerëve për shkak të detyrës duhet të ndëshkohen sipas ligjit dhe se koha e pandëshkueshmërisë për shpifje ka mbaruar.