Avokatët paralajmërojnë bojkot duke nisur nga e hëna më 8 shkurt të të gjitha proceseve hetimore e gjyqësore për shkak të përcaktimit të pagës mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore e shëndetësore.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen e tyre zyrtare Dhoma Kombëtare e Avokatisë paralajmëron se bojkoti i të hënës është vetëm fillimi i një procesi që do të varet nga reflektimi i strukturave shtetërore.
Paralajmërimi i avokatëve është në 5 pika sic shihni në këtë faksimile dhe në pikën e fundit ata shprehen se kolegët e tyre të këtij profesioni që do të dalin kundër vendimit të dhomës së Avokatisë do ti nënshtrohen procedimit disiplinor.
Pas këtij paralajmërimi për bojkot të proceseve gjyqësore nga avokatët ka reaguar dhe ministri i drejtësisë Ylli Manjani.
?Përsa më sipër, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani i ka bërë një apel publik të gjithë avokatëve që të mos e braktisin detyrën e shërbimit publik dhe në mënyrë të veçantë të mos braktisen seancat me objekt gjykimi dhënien e masës së sigurisë personale?-njofton zyra e shtypit pranë Ministrit të Drejtësisë.
Pas reagimit të Ministrit Manjani ende nuk ka një reagim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë e cila pak më herët ka paralajmëruar bojkotin në rang vendi.