http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e palëkundur dhe nuk heq dorë nga posti i kryeministrit, që sipas saj i takon në bazë të marrëveshjes së 10 qershorit me LDK-në dhe me Nismën.Kryesia e kësaj partie është mbledhur sot dhe në takim është shprehur vendosmëria për zbatimin e këtij pakti, që u arrit mes palëve dy ditë pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Pas presionit ndërkombëtar, blloku opozitar hoqi dorë nga posti i kreut të Kuvendit, duke i hapur rrugë zhbllokimit të situatës politike. Mirëpo, tashmë partitë opozitare kanë mosmarrëveshje mes tyre, pasi LDK, kërkon postin e kryeministrit. Kjo javë është vendimtare për gjetjen e një rrugëdaljeje. Nuk përjashtohet as një shpërbërje e koalicionit mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes.Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Xhekobson, e cila lëshoi kritika të forta ndaj palëve politike në Kosovë, është shprehur sot për mediat, se deklaratat e saj kanë dhënë efekt. Diplomatja tha se është vërejtur një ndryshim pas kritikave të saj dhe ndoshta, kjo bëri që blloku të heqë dorë nga kandidatura për kryeparlamentarin.