http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka rënë dakord gjatë diskutimeve që ka patur me Ministrinë e Financave, buxheti prej 13 miliard lekësh shtesë që tatimet dhe doganat kanë arritur të mbledhin më shumë, do t?i shtohet buxhetit të ministrive. Ministria e Financave ka bërë gati projektligjin për rishikimin e buxhetit të 2014-ës dhe ka vendosur që ta kalojë atë në qeveri ditën e mërkurë. Burime nga kjo ministri thonë se nuk do të ketë ndryshime të rëndësishme, edhe pse insistimi i FMN-së ka qenë i qartë: Më shumë para për sektorin e energjisë duke qënë se po afrohet sezoni i dimrit, Ministri i Financave nuk ka pranuar, por ka vendosur që të shtojë me 10% fondet për çdo dikaster. Njëkohësisht me ndryshimet në buxhetin e këtij viti, financat kanë rënë dakord me fondin për pikat kryesore ku do të përqendrohet buxheti i 2015-ës. Sipas kësaj ministrie, pika më e rëndësishme është ulja e borxhit publik, FMN ka qenë e vëmendshme në këtë pjesë dhe nuk ka pranuar asnjë tolerancë. Diskutime ka patur edhe për pjesën e rritjes së taksave, por kjo gjë është kundërshtuar nga qeveria jonë, argumenti i saj ka qenë që deri tani të ardhurat janë realizuar si duhet e në këtë pjesë nuk ka arsye për futjen e taksave të reja. Për vitin e ardhshëm parashikohet që të rriten shpenzimet dhe po ashtu edhe rritja ekonomike pritet që të jetë më e lartë se kjo e këtij viti, në nivelin 3.3%. Aktualisht Fondi Monetar ende nuk ka mbyllur negociatat me qeverinë tonë për të lëvruar këstin e radhës së kredisë prej 26 milionë eurosh. Burime konfidenciale thonë që javën e ardhshme misioni i FMN-së do të kthehet për të mbyllur disa çështje të lëna pezull me qeverinë, një nga ato më thelbësoret është edhe ajo e Bankës së Shqipërisë. Deri më sot takimet e misionit të Fondit me Bankën Qendrore kanë qenë të kufizuara për shkak të situatës së hetimeve.