http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Vijojnë kërcënimet ndaj familjes së Fatbardh Plakut, kryetarit të komunës Farkë. Ky i fundit ka denoncuar në polici se rreth orës 15:00 të ditës së sotme dy persona të paidentifikuar me motor e me skafandra kanë qëlluar me armë zjarri makinën ku udhëtonin dy fëmijët e Plakut. Sipas versionit të kryeplakut, në timon ka qene djali i madh 19-vjeçar i cili ishte nisur të merrte nga shkolla të vëllanë, vetëm 11 vjeç. Për fat asnjeri prej tyre nuk është prekur nga plumbat. Ndërsa policia nuk konfirmon të shtënat me armë ndaj automjetit. Edhe shenjat në makinë që Plaku tregon si provë, sipas tyre nuk ngjasojnë si shenja plumbash. Ndërsa djali i madh, i marrë në pyetje në komisariatin numër 1, ka deklaruar se dy personat mbi motor e kanë kërcënuar me armë dhe se ai ka dëgjuar krisma armësh. Ky është incidenti i dytë ndaj familjes së Kryekomunarit të Farkës. Në 25 mars, banesa e tij u godit me antitank, ku predha ishte gjetur e ngulur në mur, pasi kishte çarë dy faqe muri dhe kishte mbetur mes murit të jashtëm dhe korridorit, pa mundur që të hynte në brendësi të banesës, ku edhe këtë here për fat nuk ka shpërthyer. Policia disa javë pas ngjarjes, ka gjetur antitankun, por ende nuk ka një autor.