Një javë pasi dështoi të miratonte projektligjin për amnistinë, Kuvendi i Kosovës po debaton sërish sot për kalimin e tij. Këtë herë, ky draft vjen para ligjvënësve kosovarë pa nenin tre, që ishte shkak për refuzimin e një jave më parë. Kjo pikë, parashikon faljen e të gjithë autorëve te veprave penale të kryera deri më 20 qershor 2013, lirimin e personave që vuajnë dënimin për herë të parë dhe që kanë kryer deri më tani 20 për qind të tij, si dhe personave te dënuar me 3 deri në 6 muaj burg, t'u hiqet 50 % e kohës që duhet të kalojnë në burgim. Miratimi i këtij ligji është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit të arritur në Bruksel, mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç. Edhe pse nuk përmendet në mënyrë të qartë në tekstin e marrëveshjes, ligji për amnistinë parashikohet në gjashtë pikat e para të dokumentit. Përmes këtij ligji, është menduar të amnistohen strukturat paralele ilegale në veri, të cilat sipas marrëveshjes më pas do të fillojnë integrimin në strukturat legale të Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar e konsideron të domosdoshëm miratimin e këtij ligji, në kuadër të zbatimit të paktit. Edhe fokusi kryesor i vizitës së një dite më parë të shefes për politikë të jashtme të BE-së, Ketrin Eshton, dje në Prishtinë, ishte pikërisht kalimi i këtij drafti. Deputetët kosovarë pritet ta votojnë këtë pasdite ligjin e ri. Për miratimin e tij, nevojitet një mazhorancë e cilësuar prej të paktën 80 votash, nga 120 deputetë që ka Kuvendi i Kosovës. Veç kundërshtimit të Vetëvendosjes, drafti i ri mbështetet nga pjesa tjetër e Kuvendit të Kosovës. Kalimi i ligjit vijon të kundërshtohet edhe nga shoqëria civile. Dhjetëra qytetarë mbajtën sot një protestë para selisë së Parlamentit. Ata pritet të depozitojnë edhe një peticion kundër ligjit.