Partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim ka prezantuar programin parazgjedhor me projektet që parashikohen të realizohen nga kandidatët për kryetarë Komunash të kësaj force. Zëvendës kryeministri për Çështje Europiane, Fatmir Besimi tha gjatë prezantimit se BDI i ka realizuar të gjitha programet e mëparshme. Ai theksoi se për periudhën e ardhshme do të realizohen një sërë projektesh të cilat kanë nisur tashmë. "Ky program është vazhdimësi e programit të BDI-së të prezantuar para qytetarëve në vitin 2011, aty në mënyrë transparente prezantoi mbi 500 projekte të realizuara, apo të nisura gjatë katërvjeçarit të kaluar, ato 500 projekte në vlerë prej mbi 500 milion euro sot plotësohen me këtë program, me projekte në nivel lokal dhe regjional të prezantuar nga kandidatët për kryetar nga radhët e BDI-së, me mbi 1500 projekte konkrete të shënuara në këtë program, po ashtu në pjesën tekstuale mund të shihen edhe nga 1500 projekte që çdo vit do të realizohen nga këta kryetarë komunash gjegjësisht 6000 projekte në nivel të mandatit katër vjeçar, dhe 1500 projekte kapitale investuese. Projekte të ngjashme për ujësjellësin në Likovë, ujë sjellësi në Tetovë, projekte të cilat në periudhën kur nuk ka menaxhuar BDI gjërat kanë shkuar mbrapsht." Besimi tha gjithashtu se të gjitha institucionet qeveritare, qëndrojnë pas programit për investime të kandidatëve për kryetarë komunash në të gjitha sferat, ndërsa në dispozicion kanë edhe një numër të madh të fondeve ndërkombëtare për investime. Me këtë rast ai përmendi investimet në ujësjellës dhe kanalizim në tërë territorin e banuar me shqiptarë, infrastrukturën dhe projektet për zhvillimin e biznesit. Sipas tij, këta projekte tjera kanë përmirësuar pozitën e shqiptatëve në Maqedoni. "Arritja më e madhe në këtë drejtim është ndarja territoriale e realizuar në 2004, e cila dha mundësi për zhvillim të barabartë dhe shprehja të të gjitha vlerave të qytetarëve në këto komuna. Qyteti i Shkupit flet dhe frymon shqip, atje gjuha shqipe është zyrtare në të gjitha vendet dhe institucionet ku parasheh ligji, janë përmendoret në këtë qytet si, sheshi Skenderbeu, Hasan Prishtina Josif Bageri Nexhat Agolli Pjetër Bogdani dhe muzeu i Lirisë." Më tej, Besimi veçoi edhe projektin e BDI-së për hapjen e zyrave për emigrantët, me qëllim informimin e tyre me kushtet për të investuar në vend. Besimi e prezantoi programin e BDI-së, në prani të të gjithë ministrave dhe kandidatëve të kësaj partie për kryetar Komunash.