DURRES - Policia shoqëron 15 persona për vrasjen e 55-vjeçarit Arben Tollia. I konsideruar shpesh si "Kazanova", për shkak të historive të lidhjeve të shumta intime që pretendonte se kishte me qindra femra, Tollia është qëlluar plot 10 herë me automatik rreth orës 22.40 të mbrëmjes së djeshme, fare pranë banesës së tij ku ndodhet edhe shkolla 9-vjeçare e Xhafzotajt.
Ngjarja vinte vetëm dy javë pas lirimit të tij nga burgu, ku kishte shlyer 12 vite për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë.
Kjo është njëra pistë e hetimit sipas policisë, ndërsa pista tjetër ka të bëjë me lidhjet e dyshuara mes Tollia dhe grupeve kriminale të Durrësit dhe Shijakut.
Të shoqëruarit mësohet të jenë banorë të zonës ku jetonte Tollia, por edhe persona që lidhen me konfliktet dhe lidhjet intime të tij.
55-vjeçari ka dalë nga burgu në datën 11 maj, ku i ka shlyer 12 vite për përdhunim. Tollia ishte arrestuar në vitin 2005 për marrëdhënie seksuale me dhunë, ndërsa prokuroria administroi kallëzimet e 15 femrave. Tollia I fuste në kurth femrat dhe pasi kryente marrëdhënie seksuale me to i fotografonte dhe regjistronte duke u bërë presione me to. Femrat ishin kryesisht nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani dhe kryesisht studente.
Në 26 prill 2006 nisi gjykimi dhe pas 38 seancave u dënua me 17 vite burg dhe 3 milionë lekë gjobë. Në fund të procesit njeriu i dyshuar se kishte future në kurth dhe shkuar me mbi 100 femra, u dënua nga kallëzimet e vetëm dy prej tyre.
Gjykimet në gjykatën e apelit dhe krimeve të rënda, e zbritën dënimin në 12 vite burg. Por edhe burgu nuk e mbajti larg problemeve dhe manisë për të mashtruar dhe përdhunuar.
Mbante kontakte me anë të telefonave që kishte patur në burg madje edhe në rrjet sociale në internet duke fshehur se cili ishte në të vërtetë dhe faktin se ndodhej në burg.
Në janar të këtij viti ndërsa kishte dalë me leje nga burgu, Tollia u akuzua se kishte mashtruar dhe kryer marrëdhënie kundër dëshirës me një vajzë, e cila pasi mësoi se kush ishte përdhunuesi I saj u tërhoq nga kallëzimi.