SHTISH-TUFINE - Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Avokati i Popullit, Igli Totozani dhe përfaqësues të Delegacionit të KE në Tiranë, vizituan sot zonën e "Ish-Regjimentit të Kimisë," në Shtish-Tufinë, ku do të fillojë ndërtimi i një spitali të psikiatrisë ligjore dhe të një qendre kurative për të sëmurët me probleme të kolonës vertebrale.
Në fjalën e tij Ministri i Shëndetësisë, Beqaj, theksoi rëndësinë e këtij projekti ndërsa tha se kjo do t'ju rikthejë dinjitetin personave në nevojë.
"Ky është një detyrim i kahershëm ndaj komunitetit. Kjo është një kërkesë dhe një hap i rëndësishëm për t'i ardhur në ndihmë dhe për t'i dhënë kujdesin dhe dinjitetin e atyre personave që kanë nevojë. Kjo çështje ka qenë gjithmonë në axhendën e Avokatit të Popullit. Tashmë jemi diskutuar me Komisionin Evropian nëse në programin e këtij viti mund të gjejmë financimin për fillimin e ndërtimit të këtij spitali." tha në fjalën e tij ministri Beqaj.
Ndërkohë nga ana e tij Avokati i Popullit, Totozani e cilësoi këtë si shenja e parë për t'i dhënë zgjidhje shkeljes më të madhe të të drejtave të njeriut në 12 vitet e fundit.
"Kjo është një ditë e shënuar për mua, për faktin se prej 12 vjetësh kjo është një kërkesë e Avoaktit të Popullit. Nëse më pyesni cila ka qenë shkelja më e madhe e të drejtave të njeriut, do të thoja së është pikërisht kjo, strehimi në spitale të burgjeve të personave të cilëve gjykata ju ka dhënë një masë shëndetësore. Edhe sot janë mbi 120 persona në spitale të burgjeve. Këta janë persnoa që gjykata ka dhënë një masë shëndetësore dhe jo dënim. Sot shohim shenja të para serioze të trajtimit të këtij problemi. Shpresoj që para mbylljes së mandatit tim të fillojë rehabilitimi i këtyre personave.
Ministrja e Mbrojtjes nga ana e saj u shpreh se këto nisma të institucionit që ajo drejton do të vazhdojnë për tu ardhur në ndihmë edhe komuniteteve të tjera si ai rom.