A1 Report - Berisha:Danaj kryeskafist, Balla: Po deputeti juaj i denuar per mitmarrje?

Report TV 2015-08-22

Views 0

TIRANE - Shkarkimi me mocion i kreut të Këshillit të qarkut Vlorë dhe emërimi i kreut të ri Sadrit Danaj ka përplasur në Kuvend ish-kryeministrin Berisha dhe deputetin socialist Taulant Balla. Berisha pretendoi se Danaj është i dënuar si trafikant. Balla solli dokumente që vërtetojnë se s'ka qenë asnjëherë i dënuar, ndërsa shtoi se në radhët e PD ka deputetë qe kanë qenë të dënuar, por që kanë përfituar nga amnistia.

Nuk munguan as batutat teksa Berisha i kërkoi Metës videoprojektor në sallën e Parlamentit.

BERISHA: KRYEKESHILLTARI I VLORES, SKAFIST
Ish-Kryeministri Berisha akuzoi qeverinë se ka vënë në krye të administratës persona të inkriminuar duke përmendur kryetarin e sapozgjedhur të Këshillit të Qarkut Vlorë Sadrit Danaj. Berisha e akuzoi atë për kryeskafist.

"Java ka edhe ditë të tjera përvecc të enjtes për parlament, por kryetar parlamenti që vermoset nga e enjta je vetëm ti. Po sepse vermoset edhe bashkëkryetari tjetër. Kjo që po ndodh është qesharake. Kjo është e drejta jonë, po na mohoni një të drejtë kushtetuese. Nëse ky parlament ka një armik ka mazhorancën. Këtë parlament është bërë verem nga vetë mazhoranca. Nëse doni të merreni komision hetimor për nga periudha 2009 bëjeni ne nuk humbasim gjë, por na lini të bëjmë detyrën tonë. Dje kryeskafistin e Vlorës e lartësuat kryetar qarku, sepse i ka dhënë Koços me 100 mijë euro." tha Berisha

BALLA: JA 2 CERTIFIKATAT QE TREGOJNE PAFAJESINE E DANAJT
Nga ana e tij, deputeti Taulant Balla, ka replikuar ndaj akuzave duke shprehur se Sadrit Danaj është zgjedhur me vota unanime në krye të Këshillit ndërsa ka treguar edhe dy çertifikata të dëshmisë penalitetit nga Ministria e Drejtësisë shqiptare dhe ajo italiane.

"Po i fyeni njerëzit me asnjë lloj të drejte. Zoti kryeministër që kujton se di çdo lloj informacioni, përveç një fakti që gjithë jetën do ta kujtojmë, vetëm kunatin tënd nuk e dije çfarë bënte dhe ku punonte, për të tjerët dije gjithçka. Për këtë zotërinë që po e përgojoni keni që dje, është zgjedhur me vota unanime të Këshillit të Qarkut të Vlorës që dje, 43 të pranishëm , me 43 vota pro, ka depozituar pranë institucioneve të qarkut të gjithë dokumentacionin e tij dhe dy çertifikata , një nga Ministria e Drejtësisë dhe një nga Ministria e Drejtësisë se Italisë për akuzat që ju keni bërë.Dhe rezulton nga Ministria e Drejtësisë së vendit fqinj Italisë, se personi Sadri Danaj i datëlindjes 4 shkurt 1967, vendlindja Vlorë, në bankën e të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë nuk ka asnjë denim. Ka shkruar gazeta. Dhe po të hyni në Google dhe të kërkoni , deputeti juaj rezulton i denuar për mitmarrje. Ish-President i Republikës i ka bërë faljen përkatëse, sipas amnistisë që ka bërë në vitin '96. Por ky zotëria këtu i ka depozituar të dy çertifikatat me kërkesën tonë.Keni dalë ju ,dhe kemi respektuar kërkesën tuaj. Është çertifikatë me firmë dhe me pullën e Ministrisë së Drejtësisë së Italisë. Mjaft më, s'ju vjen turp , po i lini edhe burrat shtatëzënë" deklaroi Balla.

Share This Video


Download

  
Report form