Partia Demokratike vijon akuzat kundrejt qeverisë sa i përket emërimeve më të fundit në instancat e ndryshme duke e lidhur me çështjen trafikut të lëndëve narkotike.
Nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi, opozita është shprehur kundër emërimit të Genart Gjashtës si Drejtor të Shërbimeve dhe Personelit në Prefekturën e Tiranës, i cili sipas tyre më parë ka qenë i dënuar për trafikim lëndësh narkotike.
"Rama ia beson shërbimet e Prefekturës më të madhe në vend, të dënuarit për trafik droge Kryeministri Edi Rama ia ka besuar shërbimet dhe personelin e Prefekturës së Tiranës, më e madhja në vend, një të dënuari me 10 vite burg për mbajtje dhe trafik droge në Greqi,"-ka thënë Vorpsi gjatë një deklarate për shtyp për mediat.
Sipas Partisë Demokratike qeveria Rama është duke u riaktivizuar kanalet e trafikimit të drogës.
Ja deklarata e plotë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi:
Zëdhënësja Vorpsi denoncon emërimin e të dënuarit me 10 vite burg për trafik droge, si Drejtor të Shërbimeve dhe Personelit në Prefekturën e Tiranës
PD: Rama ia beson shërbimet e Prefekturës më të madhe në vend, të dënuarit për trafik droge Kryeministri Edi Rama ia ka besuar shërbimet dhe personelin e Prefekturës së Tiranës, më e madhja në vend, një të dënuari me 10 vite burg për mbajtje dhe trafik droge në Greqi.
Gehart Gjashta është dënuar fillimisht nga gjykata e shkallës së parë në Greqi me 16 vite burg, më pas gjykata e Apelit në Greqi, në vitin 2004, ka lënë dënimin me 10 vite burgim, me akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Me këtë vepër penale që ka kryer, dhe me dënimin e marrë nga drejtësia greke, Gehart Gjashta plotëson kriteret e Edi Ramës për të marrë një detyrë të rëndësishme, një post kyç në Prefekturën e Kryeqytetit.
Rilindja e Edi Ramës po rezulton çdo ditë një parajsë për bosët e drogës, të cilët jo vetëm kanë riaktivizuar kanalet e trafikimit, duke arritur kulmin e aktivitetit kriminal, por kanë kapur dhe postet dhe zyrat e rëndësishme të shtetit.