TIRANE - Gjin Nika, aksioner në galeritë e zonës D në Bulqizë, u arrestua si i dyshuar për vrasje, nga forcat e Komisariatit numër 4 të Tiranës, në periferi të kryeqytetit në 20 janar të këtij viti pas dy operacioneve të forcave speciale të dështuara më parë për arrestimin e tij.
Nika, ishte në kërkim, i dënuar me 1 vit burg për plagosjen e Shkëlqim Shehut, ai dyshohej dhe për dy vrasje: Hasan Taljan i ekzekutuar në Tiranë në 17 janar dhe të Shefqet Shehut në shtatorin e vitit 2013 në Bulqizë, ngjarje në të cilën mbeti i plagosur dhe një kalimtar.
Arrestimi i 20 janarit bëri bujë se përveç vrasjeve, Nika sipas policisë ishte i famshëm për shmangien e arrestimit sa herë që grumbulloheshin prova ndaj tij.
Madje, Gjin Nika besohet se i ka shpëtuar një operacioni policor në Kamëz në 20 mars, kur njëri nga tre mjetet që u ndoqën nga policia përfundoi brenda një dyqani celularësh.Vetë oficerët e policisë, mbetën të shtangur kur një informacion i ardhur në rrugë operative fliste për Nikën dhe disa matjanë të armatosur mes të cilëve kishte dhe të kërkuar për vrasje, pasi mendohej se me arrestimin e 20 janarit, Nika do të qëndronte gjatë në qeli.
Nuk dihet sesi është ndryshuar masa e arrestit dhe si kanë rënë dyshimet e policisë për Nikën, por nëse prokuroria do i provonte, 36-vjeçari do të ishte ende në qeli dhe vrasja e dyfishtë e Urës së Tapizës e mbrëmjes së të enjtes me siguri nuk do kishte ndodhur.
Burimet thanë se Nika dyshohet të ketë qenë objekti i atentatit, dhe se ngjarja ka për motiv hakmarrjen.
Të njëjtat burime e lidhin ngjarjen me një hakmarrje të mundshme për plagosjen e Shkëlqim Shehut dhe vrasjen më pas të vëllait të këtij Shefqet Shehu, ngjarje në cilën u plagos vëllai i tretë Vehadi.