TURQI - Policia, e cila po heton mbi tragjedinë e minierës së qymyrgurit në Turqinë perëndimore, ka njoftuar se janë arrestuar 18 persona, duke përfshirë edhe drejtuesit e kompanisë së minierës. Arrestimet po pasqyrohen gjerësisht në mediat turke.
Operacionet e kërkimit në minierën e Somas përfunduan ditën e shtunë pasi u nxorën edhe dy trupat e fundit të pajetë të minatorëve. Bilanci përfundimtar u mbyll me 301 viktima, duke e kthyer këtë ngjarje në tragjedinë më të rëndë të minierave në Turqi.
Tragjedia e së martës ndodhi kur një shpërthim lëshoi gaz monoksidi karboni në tunelet e minierës ndërkohë që 787 minatorë gjendeshin nën tokë. Qeveria dhe kompania e minierave në Soma këmbëngulën se tragjedia nuk u shkaktua për shkak të neglizhencës.
Protesta të shumta shpërthyen kundër qeverisë dhe kompanisë së minierës pas tragjedisë së ditës së martë. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan u kritikua se u tregua i pandjeshëm në reagimet e tij për tragjedinë.
Erdogan dhe asistenti i tij u vunë nën presion pas fotove që u shfaqen në mediat turke, ku ata sulmonin protestuesit.
Forca të shumta policore ishin të pranishme ditën e shtunë në qytetin e tragjedisë duke vendosur pika kontrolli dhe duke mbajtur nën arrest dhjetëra persona për të ndaluar zhvillimin e protestave.
Edhe ditën e diele siguria në qytet vazhdon të mbetet e lartë. Ndërkohë ditën e stome në Soma mes zisë dhe zemërimit u zhvillua ceremonia e varrimit të një prej viktimave të shpërthimit të minierës.