TIRANE -- Kryeprokurori Adriatik Llalla nga tryeza e përbashkët me ministrin Tahiri për bashkëpunimin ndërinstitucional Polici-Prokurori, tha se organi i akuzës ka në proces hetimi dosje mjaft të rëndësishme, të cilat nëse do të rezultonin të suksesshme do të ndryshonin të ardhmen europiane të vendit.
Prokurori i Përgjithshëm nuk dha detaje mbi dosjet konkrete që po hetohen, por njëherësh përmendi raste të sukseshme ndaj zyrtarëve të nivele të ndryshme, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së tyre edhe në këto "dosje sekrete".
"Kemi në proces hetimi mjaft raste të rëndësishme, të cilat nëse do të rezultojnë të suksesshme mund të kenë ndikim të rëndësishmë në ardhmen europiane të vendit. Ky bashkëpunim (prokurori-polici) është i shoqëruar edhe me raste konkrete suksesi. Janë vendosur përballë përgjegjësisë ligjore zyrtarë të niveleve të ndryshme, prokurorë, gjyqtarë, grupe apo struktura të ndryshme kriminale", u shpreh kryeprokurori Llalla.
Ndërsa përsa i përket Gjykatave, të cilat sëfundi janë akuzuar nga qeveria se me disa vendime të jashtëligjshme kanë liruar kriminelë, Llalla la të nënkuptuar se faktet për rastet e paraqitura nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë qenë të plota për të bindur gjykatat në vendimarrjet e tyre.
"Në raport me Gjykatat vlerësojmë se prokuroria, policia e shtetit i kanë të gjitha mundësitë që të bindin në prova dhe fakte gjykatat në vendimarrjet e tyre. Prokuroria është e prirur të ofrojë mbështetje për strukturat policore sa i përket zbatimit të ligjit. Kjo është mënyra e vetme për të pasur rekorde pozitive përpara Gjykatës", u shpreh kryeprokurori.
Bashkëpunimi i organit të akuzës me Policinë e Shtetit, sipas kryeprokurorit Llalla i ka dhënë sukses luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe ka shmangur dekonspirimin e hetimeve.
"Vlerësoj komunikimin e shpejtë dhe korrekt për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Konstatohet se falë këtij koordinimi ka ulje të ndjeshme të dekonspirimit të veprimeve hetimore. Po kështu ka rritje të efektivitetit të shpejtësisë së hetimit, rritjes së cilësisë së referimit të veprave penale, mënyrave të kërkimit dhe marrjes së provave. Së bashku kemi arritur të realizojmë operacione shumë të rëndësishme ndër të cilat ka pasur goditje të grupeve dhe strukturave të ndryshme kriminale. Nga ana tjetër duhet pranuar se ka edhe problematikë të cilën punojmë bashkarisht dita ditës ta zbusim apo ta eleminojmë.
Sfida jonë e përbashkët mbetet përballja me krimin, normalisht nuk është një sfidë e lehtë, por plotësisht e përballueshme nga ana jonë", përfundoi Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.