TIRANE - Zvarriti hetimet në prokurorinë e Fierit, gati shkarkimi i prokurorit Artjan Bejo. Ky fakt konfirmohet për A1Report nga Prokuroria e Përgjithshme, ku në zyrën e Adriatik Llallës vetëm një ditë më parë ka mbërritur propozimi për shkarkimin e Bejos.
Ky propozim i është dërguar Llallës nga Këshilli i Prokurorëve i cili pak ditë më parë ka marrë në shqyrtim një sërë ankesash të mbërritura nga qytetarët, mes tyre dhe ajo për prokurorin e rrethit gjyqësor Fier dhe prokurorin Artjann Bejo.
Nga diskutimet dhe verifikimet e kryera nga Këshilli i Prokurorisë ka rezultuar se janë mbi 300 dosje dhe kallëzime të shtetasve të cilat flenë në zyrën e prokurorit dhe për më tepër se sa 1 vit ato nuk kanë asnjë përgjigje apo veprim hetimor.
Prokurori 54-vjeçar prej disa vitesh ka ushtruar këtë detyrën në qarkun e Fierit, nga ku prej sot është shkarkuar.
Po ashtu nga kjo mbledhje e mbajtur pak ditë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme A1Report ka mësuar se janë propozuar dhe 7 transferime prokurorësh, ku 4 prej tyre janë me ulje në detyrë për shkak të zvarritjes së hetimeve.
Po ashtu masa pritet të merren shumë shpejt dhe për një drejtues prokurorie, i cili ka rezultuar me shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.
Ndërsa në këtë mbledhje është vendosur dhe ngritja e strukturave hetimore për dosjet e pronave në 30 prokurorit e rretheve, kur pritet që me firmën e Llallës këto njësi të jenë aktive duke nisur nga 1 shtatori 2015.