Në Gjirokastër policia bashkiake ka ndërmarrë një aksion për largimin e 80 tregtarëve ambulantë që shesin në kushte të papërshtatshme produkte ushqimore.
Nga ana tjetër, në periferi të qytetit të Fierit paraqitet një situatë e kundërt, ku tregtarët shesin produkte të pakontrolluara dhe mbi shinat e trenit.
Në Gjirokastër janë "çliruar trotuaret dhe rrugët kryesore të qytetit nga shitësit ambulantë. Policia Bashkiake ka ndërmarrë një aksion për largimin e tregtarëve ambulantë, të cilët vitet e fundit e kishin shndërruar shëtitoren e lagjes '18 Shtatori' në një treg perime e fruta, deri tek gjëja e gjallë. Kjo situatë bëhej pengesë jo vetëm për këmbësorët, por edhe produktet që ata tregtonin përbënin rrezik për konsumatorët, pasi nuk ishin të kontrolluara.
Nga ky aksion janë larguar nga trotuaret dhe rrugët, mbi 80 tregtarë ambulantë, të cilët shisnin në një perimetër deri në 80 metra dhe në një gjatësi të shëtitores deri në 700 metra.
Një tjetër panoramë ofrohet në periferi të qytetit të Fierit. Tregtarët ambulantë shesin produkte të ndryshme fare pranë stacionit të pasagjerëve të linjës hekurudhore.
Malli i tyre tregtohet mbi shinat e trenit duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre, apo të blerësve, por shndërrohen në pengesë për automjetet që kalojnë në këtë zonë.
Në segment hekurudhor kalon treni i linjës Tiranë-Vlorë dhe anasjelltas, ndërsa trarët prej kohësh kanë dalë jashtë funksionit, një arsye më shumë për të shkaktuar aksidente me pasoja në njerëz.