Rreth 200 kilogramë djathë dhe produkte të tjera shtazore janë sekuestruar nga specialistë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Gjirokastër. Bëhet fjalë për produkte në të cilat janë konstatuar përqindje të lartë të amidonit, niseshtesë dhe preparateve të tjera ushqimore, që stimulojnë ngrirjen e djathit duke zëvendësuar atë, qumështin e deles, dhisë apo dhe të lopës.
Specialisti Zylo Frengu ka demonstruar një rast dhe një krahasim mes djathit që ka prezencë amidoni dhe një tjetër që nuk ka përmbajtje abuzive
Edhe në Fier, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Fier ka nisur një aksion për kontrollin e të gjitha subjektet përpunuese dhe tregtuese të produkteve dhe nënprodukteve me origjinë shtazore.
Janë mbi 70 baxho dhe fabrika në qarkun e Fierit të cilat do t'i nënshtrohen këtij kontrolli për të garantuar cilësinë e tyre për konsumatorin.
Kreu i AKU-së në Fier, Frederik Cuko, tha se ky kontroll do të ushtrohet për 20 ditë me radhë dhe do të shoqërohet me masa ndëshkuese në rast se evidentohen shkelje.