Mbi 200 studentë të regjistruar në 10 drejtime të fakultetit matematiko-natyror në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Shkup, kanë ndërprerë studimet për shkak të një vendimi të kontestuar të Rektoratit i cili ka vendosur që këto drejtime të shpërngulen në Tetovë. Studentët thonë se me vendimin janë njoftuar vetëm kur ai ka filluar të zbatohet. Madje, ata akuzojnë zyrtarët e Universitetit se i kanë kërcënuar me humbjen e vitit akademik, nëse nuk vazhdojnë studimet në Tetovë.
"Diskriminimi ka arritur deri në atë shkallë sa që i është pamundësuar studentit të studiojë, duke ndërprerë studimet. Studimet janë ndërprerë nga një vendim i cili nuk është bërë publik, edhe pse ka filluar të zbatohet. Studentët vazhdimisht kërcënohen se po nuk i vazhduan studimet në USHT në objektet e Tetovës do të humbin vitin akademik. Asgjë nuk është bërë publike, gjithçka fshehtë. Ky vendim ka irrituar jo vetëm studentët, por edhe familjarët dhe rrethin e tyre" , deklaroi Faton Curri, student.
Studentët thonë se kanë kërkuar takim me të gjitha institucionet kompetente, por nuk ka rezultuar asnjë rezultat për problemin e tyre. Përderisa vazhdon kjo situatë, ata ngecin me studimet dhe nuk po fillojnë me ligjëratat akademike.
"Sapo erdhëm nga Ministria e Arsimit, dhe i vetmi sektor që na ka pranuar ka qenë Inspektorati për Arsim të Lartë. Na janë mbyllur të gjitha zgjidhjet, dhe zgjidhja e vetme ka mbetur rruga" , tha Faton Curri, student.
"Derisa kolegët tonë në fakultetet e tjera kanë filluar kolokiumet, ne ende nuk kemi filluar me ligjërata, nuk kemi orar, gjithçka është ndërprerë këtu në Shkup", u shpreh Sejhan Veliu, studente.
Të kontaktuar nga televizioni Alsat M, nga rektorati i Universitetit nuk ishin të kapshëm për të komentuar rastin ndërsa nga Ministria e Arsimit paralajmëruan se pas shqyrtimit të situatës së krijuar, do të prononcohen ditëve në vijim. Benjamin Arifi