Zhvendosja e protestës në mjediset e Fakulteteve, ka shkaktuar përplasje mes studentëve dhe policisë dhe rojeve të policisë private. Në Fakultetin Ekonomik u shënuan incidente në mesnatë, si dhe mëngjesin e së premtes, teksa policia tentoi të nxirrte studentët jashtë.
Studentët e Fakultetit Ekonomik refuzuan edhe mbështetjen nga deputetët e opozitës. Studentët e Juridikut vijojnë të qëndrojnë të ?ngujuar? brenda mjediseve të Fakultetit të Drejtësisë.
Një dritare është e vetmja hyrje për në Fakultetin Juridik, pasi dyert vijojnë të jenë të bllokuara me karrige dhe tavolina që prej të mërkurës. Sikurse në Fakultetet e tjera, edhe këtu policia ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës, por gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit ka pasur një mësymje për të zhbllokuar dyert. Studentët janë të shpërndarë nëpër auditore dhe kjo gjendje do të vijojë të paktën deri të dielën, në pritje të një vendimi tjetër.
Edhe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë vijon bojkoti i mësimit, teksa një pjesë e studentëve qëndrojnë brenda mjediseve të fakultetit.
Ka qenë administratori i Universitetit të Tiranës, që me anë të një letre drejtuar Policisë së Shtetit, ka kërkuar që të merren masa për rikthimin e qetësisë në auditorët e UT-së. Në letër shkruhet se "disa individë të caktuar po pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe si e tillë kërkohet t?i jepet fund kësaj sjelljeje".
Rektorati i Universitetit të Tiranës u ka bërë thirrje studentëve t?i rikthehen procesit mësimor. Në mbledhjen e mbajtur mes Rektorit, administratorit dhe dekanëve të Universitetit të Tiranës, u vendos për marrjen e masave që të zëvendësohen orët mësimore të parealizuara për protestën, për shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave, si dhe ngritjen e një grupi pune për realizimin e një plani veprimi.
Tv Klan