Studentët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Presheva, po përballen me pengesa gjatë hyrje-daljeve në kufi. Më i theksuar ky problem është me studentët nga Presheva, të cilët ndonjëherë mbahen me orë të tëra në stacionet policore në kufi shkaku i lejeve të qëndrimit apo kthehen në vendin e tyre dhe nuk ju lejohet hyrja në Maqedoni.
"Studentët nga Lugina e Preshevës janë maltretuar 5 orë në kufirin e Maqedonisë, neve na ka ndodh edhe më herët por falë partive politike të Preshevës u intervenua që të hyjmë gjatë provimeve të qershorit kur i patëm. Neve na kërkojnë rregullimin e leje qëndrimit në Maqedoni si shtetas të huaj".
Studentët kërkojnë që atyre të mos i kërkohet leja e qëndrimit për një vit, përfshirë këtu edhe sigurimin shëndetësorë i cili kushton 500 euro në vit, pasi se asnjë student nuk qëndrim një vit në Maqedoni.
"Një frikë na ka zënë të gjithëve beso edhe në shtëpi s'mundemi të shkojmë edhe pse jemi shumë afër, por s'kemi guxim, edhe pse e dinë ata që jemi student, kemi marrë edhe vërtetim në fakultet por edhe me atë s'na lëshojnë të hyjmë. Kërkohet leje qëndrimi përmes ambasadës dhe shumë dokumente që besoni janë tepër për student, leje për një vit na kërkojnë kurse ne nuk qëndrojmë një vit këtu, kërkojnë të paguajnë dhe është pagesë enorme".
"Kem pas problem në pikën kufitare në Jazhincë s'na lejonin hyrjen në Maqedoni, kërkonte leje qëndrimi një vit që nuk arsyetohet sepse ne nuk rijmë më shumë se dy javë".
Nga ana tjetër, sektori i punëve të brendshme i Tetovës, sot ka realizuar një takim me studentët e USHT-së që vijnë nga Kosova dhe Presheva, për temën në fjalë, ku bashkë me seksionin për të huaj, u kanë shpjeguar atyre ligjin për të huajt dhe dokumentet e nevojshme për rregullimin e lejes së qëndrimit. Por sipas tyre, problem për rregullimin e qëndrimit për të huajt nuk ka.
"Problem për qëndrim të të huajve nuk ka, ka vetëm atje ku nuk duan ta rregullojnë lejen e qëndrimit të përkohshëm, sepse disa mundohen pa e rregulluar qëndrimin ta zhvillojnë të drejtën e qëndrimit. Studentët nga Serbia duhet të aplikojnë në ambasadë si të gjithë të tjerët , nuk kanë nevojë për viza por kanë nevojë për vendim për qëndrim të përkohshëm", deklaroi Goran Trajkovski, kryeshef i sektorit për të huaj.
Megjithatë përkundër njoftimit të studentëve me dokumentet e nevojshme për nxjerrjen e lejes së qëndrimit, një numër i madh i studentëve nuk e kanë të qartë se pse ka nevojë policia që ta kërkojë programin studimor të studentit dhe gjuhën në të cilën ai do studiojë. Ndryshe vetëm gjatë nëntë mujorit të këtij viti në kufijtë e vendit janë ndaluar apo kthyer mbi 130 studentë që nuk kanë pasur të rregulluar lejen e qëndrimit. Bashkim Sulejmani