Studentet e Akademise se Policise, leter Kryeministri

RTV KLAN 2018-12-17

Views 0

160 studentë të Akademisë së Sigurisë, që njëherazi janë edhe punonjës aktivë të Policisë së Shtetit, ngrenë zërin për mënyrën e trajtimit të tyre me pagë. Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, të siguruar nga Televizioni Klan, ata thonë se prej më shumë se 7 muajsh po shkelet ky vendim i Këshillit të Ministrave, që u njeh atyre pagën gjatë specializimit. Efektivët e policisë, shumica e të cilëve kanë gradën Nënkomisar, ankohen se po u mbahet në mënyrë të paligjshme 50-60% e pagës. Ata thonë se po trajtohen me një kompensim, me vlerë nga 14 në 20 mijë lekë të reja në muaj, një shifër e papërfillshme për të përballuar nevojat personale dhe ato familjare.

?Duke punuar çdo ditë, çdo orë, çdo minutë për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, për garantimin e zbatimit të ligjit, duke u përballur me vendosmëri me shkelësit e ligjit, duke luftuar çdo ditë çdo orë çdo minutë me krimin, na është kalitur vullneti dhe vendosmëria që të këmbëngulim që të respektohet ligji dhe të drejtat tona të mos shkelen, po ashtu si ne kërkojmë zbatimin e ligjit nga të gjithë shtetasit pa dallim?.

Në letër studentët i kërkojnë kreut të qeverisë të marrë masa që drejtoritë e policive të trajtojnë me paga të gjithë studentet e Akademisë. Më herët, ata i janë drejtuar edhe Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu, si dhe kanë zhvilluar një takim edhe me Zv/Ministrin Julian Hodaj, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Administrative, ku disa prej tyre kanë fituar të drejtën të trajtohen me pagë të plotë dhe jo me kompensim.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form