http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në 20 vjetorin e vrasje së themeluesit të Partisë Demokratike, procesi gjyqësor për ekzekutimin e tij mund të shkojë drejt rihapjes. Kjo pasi Izet Haxhia, një prej të dënuarve të kësaj çështjeje që deri para pak kohësh ishte në arrati, tashmë është ekstraduar dhe i është dorëzuar drejtësisë. Haxhia i cili qëndronte në arrati që prej 20 vitesh qëndronte i strehuar në Turqi që prej viti 2003. Bashkë me Izet Haxhinë, ka qenë edhe i vëllai Ismet Haxhia. Ai u lirua nga burgu në vitin 2016, pas përfundimit të dënimit të dhënë ndaj tij. Vëllai tjetër i tyre Isamedin Haxhia, qe po ashtu ndër të akuzuarit, por u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje. Jaho Mulosmani është i vetmi i dënuar me vendim të formës së prerë që vazhdon të vuajë dënimin për këtë çështje.
Fatmir Haklaj, qe një nga personat kryesorë që u akuzuan për organizimin e vrasjes së Azem Hajdarit, por nuk u arrit të arrestohej asnjëherë. Haklaj u ekzekutua në një atentat me snajper pranë shtëpisë së Jaho Mulosmanit në vitin 2000, pak muaj pasi i kishte shpëtuar një atentati me bombë të telekomanduar në urën e Cërrnicës në Tropojë.
I vetmi person që deri më tani nuk ka vuajtur dënimin për vrasjen e Azem Hajdarit, mbetet Izet Haxhia, një prej ish truprojave të ish- kryeministrit dhe ish- Presidentit Sali Berisha.
Haxhia pranoi të ekstradohej në Shqipëri dhe me 9 maj të vitit 2018, ai u transferua në Shqipëri, i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie. Një nga kërkesat e tij menjëherë pas mbërritjes në vendin tonë qe rihapja e procesit të vrasjes së Azem Hajdarit. Në këtë proces ai ishte një nga të akuzuarit kryesorë. Dëshmitarët e mbrojtur nga Prokuroria, i thanë Gjykatës se Haxhia, ishte takuar me vrasësit e Azem Hajdarit disa orë përpara ekzekutimit. Të ish- deputetit të PD-së.
Tashmë Haxhia, kërkon rihapjen e dosjes në ngarkim të tij, duke pretenduar se është i pafajshëm. Për të provuar këtë pretendim ai ka kërkuar të sjellë në Gjykatë një listë me dëshmitarë ndër të cilët edhe ish- kreun e shtetit Sali Berishën.
Azem Hajdari u ekzekutua të shtunën e 12 shtatorit të vitit 1998, përballë selisë së Partisë Demokratike në atë kohë. Ai qe thirrur për t?u ballafaquar nga një grup personash mes të cilëve qenë Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani, Naim Çangu e persona të tjerë. Nga një shkëmbim zjarri mes palëve, veç Azem Hajdarit, mbeti i vrarë edhe truproja e tij, Besim Çera, si dhe Naim Çangu nga Nikla që shoqëronte Fatmir Hakljan e Jaho Mulosmanin.
Vrasja e Azem Hajdarit u pasua me trazirat e 14 shtatorit të vitit 1998. Pamjet e transmetuara nga televizionet e huaja tregonin turmën e njerëzve me arkivolin e Azem Hajdarit që i drejtoheshin kryeministrisë. Ish- kryeministri Nano u detyrua të largohej ndërsa reagimi i komunitetit ndërkombëtar se nuk do të legjitimonte një qeveri të pazgjedhur detyroi opozitën të tërhiqej. Emisioni: "7 pa 5"