Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Të gjithë shkollat e mesme në vend do të kenë oficer të sigurisë që prej shtatorit të këtij viti, pra me nisjen e vitit të ri shkollor. Ky projekt u pilotua fillimisht në 15 shkolla në Tiranë dhe sipas Ministrisë së Brendshme ka garantuar siguri për nxënësit.
Për këtë arsye, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla nënshkruan marrëveshjen përkatëse në në gjimnazin ''Petro Nini Luarasi'', një prej shkollave të mesme të Tiranës ku nisi aplikimi i projektit pilot. Oficerët e Sigurisë do të trajnohen në Akademinë e Sigurisë, për një periudhe intensive 1 mujore.
Xhafaj: Ne nuk dëshirojmë, nuk kemi pasur dhe nuk kemi kurrë si qëllim që të vendosim një polic, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, por ne kemi si qëllim për të ofruar më shumë siguri që të vendosim këtu, edukatorë me frymën e ligjit, edukatorë për zbatimin e ligjit, edukatorë për të parandaluar së bashku me trupën pedagogjike, së bashku në mënyrë të veçantë me psikologët e shkollave për të parandaluar fenomene negative, akte të konflikteve apo të dhunës së brendshme.
Oficerët e Sigurisë në shkolla brenda territorit të shkollës janë edukatorë, jashtë territorit të shkollës ata shërbejnë si pika lidhëse ndërmjet policisë dhe shkollës.
Ministrja Nikolla duke u ndalur në të dhënat e ofruara nga projekti pilot tha se janë shumë inkurajuese dhe pozitive. Vetëm brenda 10 javëve, sipas ministres Nikolla, Oficerët e Sigurisë kanë ndihmuar në zgjidhjen e 80 konflikteve brenda shkollave.
Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/oficere-sigurie-ne-te-gjithe-gjimnazet-e-shqiperise