Shqiptarja.com zbulon ekskluzivisht ndryshimet në pasurinë e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar gjatë vitit 2017. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë vitit që lamë pas, së bashku me Monika Kryemadhin, deklaron hapjen e një llogarie me vlerë 140 mijë paund ose 160 mijë euro për shkollimin e fëmijëve.
Po gjatë këtij viti, bashkëshortja e Presidentit, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, ka shitur dy apartamente banimi me sipërfaqe 101 m2 dhe 166 m2, me vlerat përkatëse 55 550 dhe 58 806 euro. Kujtojmë që gjatë vitit 2016, kryetarja e LSI, ka shitur 4 apartamente të tjera, me vlerë 345 mijë euro, 60 958 euro, 85 088 euro dhe 57 885 euro.
Sa i takon të ardhurave për vitin 2017, Ilir Meta deklaron 982 830 lekë pagën si Kryetar Kuvendit dhe më pas 982 830 lekë pagën si President si dhe 2 500 euro të ardhura të tjera nga Presidenca. Ndërkaq, kryetarja e LSI deklaron 1 993 386 lekë pagën si deputete si dhe pakësimin e një llogarie bankare në Credins me 131 mijë euro.
Kryeministri Rama
Gjatë vitit 2017, bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, deklaron zgjerimin e tokës në Surrel, duke blerë edhe 2 240 m2 sipërfaqe toke ullishte dhe arë, me vlerë 6 930 000 lekë. Zgjerimi është bërë për arsye funksionale në truallin ku është ndërtuar shtëpia. Ndërkaq, kryeministri Rama ka shitur për 50 milionë lekë të vjetra apartamentin e banimit parafabrikat në Tiranë, me sipërfaqe 59 m2.
Gjatë vitit që lamë pas, Rama deklaron 2 015 199 lekë të ardhura nga paga si kryeministër, 51 000 lekë honorare të tjera si dhe 3 894 352 lekë të ardhura nga krijimtaria artistike. Kryeministri vijon të shlyejë një kredi me vlerë 80 mijë euro, me afat 10 vjet, aktivizuar në 2013, ku detyrimi i mbetur është 26 460 euro.