Disa nga 7 kandidatët për postin e kreut të organit të akuzës posedojnë një pasuri befasuese. Kjo ndoshta do të vinte në pikëpyetje kalimin e njërit prej tre testeve të Vetingut, që ka të bëjë me ligjshmërinë e pasurive. Disa të tjerë posedojnë pasuri modeste në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara. Shqiptarja.com ka zbardhur ekskluzivisht pasurinë e deklaruar pranë ILDKP, në të gjitha vitet kalendarike, të 7 pretendentëve për të zëvendësuar Adriatik Llallës. Kandidati Arqile Koça, prokuror te Prokuroria e Përgjithshme, në vitin 2001, ka marrë një kredi me vlerë 50 milionë lekë të vjetra për banesë, me afat për 25 vjet.
Kjo kredi është rimbursuar me vendim qeverie. Në vitet e mëvonshme, kandidati në fjalë deklaron pesë apartamente në Linzë të Tiranës, me sipërfaqe 96 m2, 110 m2, 110 m2, 86 m2 dhe 137 m2. Disa nga këto apartamente i ka shitur. Arqile Koça ka gjithashtu në pronësi apartament në Lukovë të Sarandës, me sipërfaqe 160 m2, dy garazhe dhe njësi ndërtimore në Tiranë, shitur apartament në Dajt, me sipërfaqe 120 m2 etj.