Gjatë një vizite në qytetin e Fierit, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi tha se Projektet e Bankës Botërore janë instrumente të domosdoshme për zhvillimi rural në Shqipëri.
Falë këtyre projekteve dhe këtij bashkëpunimi sot kemi të sistemuara dhe rehabilituara rreth 24300 ha tokë bujqësore në gjithë vendin, dhe priten të shtohen edhe 16500 ha tokë në Lushnjë, Konispol, Kuçovë, Maliq dhe Has. Ministri Peleshi, ka bërë dhe një ndalesë në stacionin e pompimit të fshatit Sulzotaj, i cili është pjesë e skemës të sapo rehabilituar të Divjakës.
Ky është një investim i mbështetur nga Banka Botërore, prej 4.2 milionë euro dhe që ka sistemuar rreth 2800 ha tokë bujqësore. Duke bërë një prezantim të shkurtër të punës, Ministri ka bërë publik lajmin për fillimin brenda këtij viti, të dy projekteve të rëndësishme.
Do fillojmë dy projekte të mëdha, të fuqishme, brenda këtij viti. Një projekt që ka të bëjë me rehabilitimin e dy skemave, dy degëve që furnizohen nga dega e Krutjes, rezervuari i Thanës. Njëra prej tyre furnizon zonën e Libofshës me ujë, dhe vendos nën ujë 1300 ha, ndërsa dega tjetër furnizon një zonë prej 300 mijë ha në Divjakë, ndërkohë me projektin shtesë të Bankës Botërore, që për pak kohë, brenda majit shpresoj do të ratifikohet në Parlament, një program prej 23 milionë euro, një pjesë e mirë e të cilit, përfitohet nga kjo zonë, nga qarku i Fierit dhe një pjesë në zonën e Konispolit. Nga ai projekt ne do të shtojmë dhe 12 mijë ha të tjera. Janë dy degë, dega e Çukasit dhe dega e Lushnjes, furnizohen përsëri nga rezervuari i Thanës, që do të rehabilitohen me këtë formë. Në këtë mënyrë, ne shënojmë krahas projekteve të tjera të realizuara në këto vite, me një sipërfaqe pothuajse rreth 30 mijë ha të vendosur nën ujë.
Niko Peleshi, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural