Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Në diskutimin publik për historinë e komunizmit shqiptar akoma nuk ka një konsensus për gjuhën dhe interpretimet që u bëhen shifrave dhe burimeve historike.
Kampi i internimit në Tepelenë që ka ardhur në vëmendjen e publikut vetëm në këto 5 vjet, ka qenë së fundi objekt polemikash midis historianëve zyrtarë dhe përfaqësuesve të institucioneve për studimin e krimeve të komunizmit që janë angazhuar në kërkimet e arkivore, por më së shumti në mbledhjen e burimeve gojore nga viktimat politike dhe ideologjike të epokës.
Ndoshta për këtë arsye, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, e ka ndjerë të nevojshme të tërheqë vëmendjen për projektin muzeal të kampit të Tepelenës. Autoriteti ka informuar dje për procesin ku ndodhet projekti për Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, që mendohet të jetë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri.
Në gusht të vitit të kaluar, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve është hedhur hapi i parë: janë mbjellë 300 qiparisë që do të jenë oazi memorial për 300 fëmijët që humbën jetën në këtë kamp midis viteve 1945-1954, për shkak të sëmundjeve ngjitëse dhe urisë. Sipas burimeve të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, të dënuar në këtë kamp kanë qenë 3380 persona, nga të cilët: 973 burra, kryesisht të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë.
Një nga dëshmitarët e këtij kampi, piktori Lekë Pervizi, 22-vjeçar në atë epokë ka krijuar me dhjetra vizatime ku skicohet me saktësi strukura e kampit me kazermat e shndërruara në fjetore, të cilat në të vërtetë shërbenin si vend banimi në një hapësirë të papërfillshme për nevojat e trupit njerëzor dhe të paimagjinueshme për aktivitet familjar e shoqëror.
Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/kampi-i-tepelenes-do-ta-shpetoje-kujtesen