Në përfundim të afatit të aplikimit, Presidenti ka bërë publike listat me kandidatët e interesuar për të plotesuar dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Në listën e parë janë renditur 22 emra ndërsa në të dytën 16, por që të gjithë kandidatët janë edhe në listën e parë.
Ndër emrat që bien në sy janë ato të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, nënkryetarit aktual të KQZ Denar Biba, ish-drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme Rovena Gashi, që aktualisht është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, apo ish-kandidati për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm Besnik Muçi.
Emra të tjerë të njohur janë Ilir Panda apo Kristaq Traja. Emrat e bëra publik nga presidenti kalojnë në sitën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ata hartojnë një listë, sipas një renditje nga kandidati më i vlerësuar tek ata më pak të vlerësuar. Nga kjo listë Presidenti ka të drejtë të përzgjedhë duke emëruar dy anëtarë në Gjykatën Kushtetuese pas vakancave të krijuara nga përfundimi i mandatit të Sokol Berberit dhe dorëheqjes së anëtarit tjetër Besnik Imeraj.
Ndërkohë edhe kuvendi ka shpallur vakancën për një anëtar të kësaj gjykate që ka të drejtë ta përzgjedhë parlamenti, por edhe pse afati i aplikimit është data 15 mars, deri tani sipas burimeve nga ky institucion bëjnë të ditur se ka aplikuar vetëm një kandidat.
Pas ndryshimeve kushtetuese të 2016, 9 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 të tjerë nga radhët e Gjykatës së Lartë. Të gjitha kandidaturat shqyrtohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.