Qeveria miraton pr/ligjin per voten e emigranteve

RTV KLAN 2018-05-10

Views 0

Qeveria nuk ka humbur kohë, por ka miratuar një projektligj i cili i hap rrugë krijimit të agjencisë, e cila do të përgatitë infrastrukturën dhe do të garantojë pjesëmarrjen e emigrantëve në votime.

Drejtoria do të varet nga kryeministri dhe do të angazhohet për të krijuar sistemin e të dhënave të emigrantëve shqiptarë kudo ku ata jetojnë.

Ligji e ngarkon Agjencinë e Diasporës që të regjistrojë çdo shtetas shqiptar që ndodhet jashtë dhe të garantojë që ai të ketë mundësi të votojë gjatë ditës së zgjedhjeve. Punonjësit e kësaj strukture po ashtu do të punojnë çdo vit mbi strategjinë që do të përdorin me diasporën dhe do të mbajnë ata të informuar mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri.

Financimi i agjencisë do të bëhet nga dy burime: paratë e buxhetit të shtetit dhe të ardhurat nga donacionet e diasporës. Në këshillin drejtues të saj do të përfshihen anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ministrisë së Diasporës, asaj të Jashtme, të Arsimit dhe Financave.

Mundësimi i votës së emigrantëve ka qenë një premtim elektoral i Kryeministrit që në fushatën e vitit 2013-të, e cila nuk u realizua, por ai e futi sërish në programin e kabinetit të dytë që drejton, ku krijoi edhe një ministri të posaçme për këtë qëllim.

Share This Video


Download

  
Report form