Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, mblodhi sot në një takim në Kryeministri 100 biznese të vogla për të diskutuar për vendosjen e TVSH-së dhe efektet e saj. Sikurse edhe është përmendur më parë, ministri Ahmetaj theksoi edhe njëherë se vendosja e detyrimit të TVSH-së për biznesin e vogël nuk do të sjellë rritje të çmimeve, por do të zhduk vetëm informalitetin sipas tij.
?Informaliteti është pabarazi dhe padrejtësi, për këtë po bëjmë këtë që nuk është taksë e re dhe nuk influencon në çmime dhe nuk shton kosto tek sipërmarrjet. Po bëjmë hap serioz me procedurat e të gjithë administratës, po thjeshtësohen një numër i madh dokumentesh dhe me drejtorinë e përgjithshme të tatimeve nuk duhet të paraqisni 6 tipologji dokumentesh. Kjo do ju bëjë jetën më të lehtë dhe koston e administrimit të biznesit më të ulët. Sot deklarimi është një mekanizëm i domosdoshëm. Në vendet e zhvilluar individët deklarojnë të ardhurat e veta. Ne jemi të gjithë brenda një sistemoi deklarimi. Çfarë kosto ka rritur kjo tek secili nga ne? Ky detyrim është për ata që kanë të ardhura mbi 2 milion lekë.?, theksoi ministri.
Ja bizneset që përjashtohen nga detyrimi i TVSH
Ministri deklaroi ndër të tjera se nga 70 mijë biznese të vogla detyrimi i deklarimit do të përfshijë vetëm 9 mijë të tyre, duke përjashtuar berberët, zejtarët, taksistët, shitësit ambulantë, tregjet e bashkisë e të tjera.
?Nga diskutimet që kemi pasur jemi të qartë që biznesi i vogël, i referohem zejtarisë, berberit, taksistit, do të jenë të përjashtuar nga TVSH. Ambulantët tregjet e bashkive, do jenë të përjashtuar. Po e kolaudojmë që të fusim në sistem jo këtë pjesë të sipërmarrjes që është e vogël dhe jeton me pune e vet, por atë pjesë të transaksioneve që rrjedhin nga biznesi i madh. Gjithë kjo boloria politike, biznesi i vogël me një numër prej 60 apo 65 mijë do të ngelet jashtë skemës. Në finale do jemi këtu pas disa muajsh dhe do i themi njëri-tjetrit që kostot nuk u rritën çmimet nuk u rritë. Debati është i madh. Ka një sfidë për administratën. Por ne jemi të qartë. Shtrirja e TVSH-së është ndihmë për të kontrolluar më mirë biznesin e madh.?, tha Ahmetaj.