Ministria e Arsimit pritet të bëjë ndryshime rrënjësore në sistemin arsimor parauniversitar. Paralajmërimin e ka bërë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila është shprehur se pagat e mësuesve do rriten me 40%, ndërsa mbi 20 mijë mësues do testohen për të matur aftësinë e tyre në punë. Deklarata e ministres u bë gjatë një vizite në një nga shkollat e Tiranës.
"Ne do rrisim rrogat e mësuesve me rreth 40%. Aktualisht një mësues paguhet me 45 mijë lek të rinj, ndërsa sipas planit të qeverisë dei në vitin 2021 pritet që paga të shkojë në nivelin e 63 mijë lekëve të rinj", u shpreh Nikolla. Ndër të tjera Nikolla ka folur edhe për akreditimin e universiteteve, temë e cila ngjalli shumë debate në radhët e Universitetit të Tiranës. Nikolla doli në mbrojtje të raportit të akreditimit të bërë publik nga agjencia britanike.
Sipas Nikollës, raportet e agjencisë britanike për vlerësimin e arsimit të lartë do të shërbejnë për t'i kthyer këto në institucione që duhet të njohin të vërtetën me të cilën përballen.