Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u ka bërë apel prindërve dhe maturantëve që të rrinë të qetë, pasi lista përfundimtare e fituesve do të dalë në datën 20 shtator. Sipas Nikollës janë 24 mijë kuota në universitete publike, për 27 mijë maturantë që kanë aplikuar.
Ministrja e Arsimit theksoi se pranimin në universitete bëhet nga vet institucionet arsimore. Sipas Nikollës fituesit janë shpallur mbi kriteret që kanë përcaktuar universitetet.
Ndërkohë më herët Rektori i Universitetit të Tiranës tha se pas regjistrimit në raundin e parë, shumë kuota do ngelen bosh dhe do të fitojnë ata, që nuk kanë përzgjedhur në asnjë degë.
Regjistrimi në universitete do të nisë në datën 13 shtator dhe kandidatët fitues duhet të regjistrohen online si dhe të dorëzojnë dokumentet pranë fakulteteve përkatëse.