Grupi i cili tentoi të trafikojë 2,6 tonët e kanabisit të sekuestruar 4 ditë më parë nga Guardia Di Finanza, konsiderohet nga autoritetet shqiptare dhe italiane si një ndër më të fuqishmit.
Ngarkesa e kapur në një gomone në det, në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe të Malit te Zi nuk ishte e vetmja.
Rrjeti dyshohet se është aktiv prej 8 muajsh dhe se atij i përket edhe një ngarkesë prej 1.9 ton që u kap më 9 janar po në Adriatik.
Në të dy rastet janë arrestuar nga 2 skafistë, 3 shqiptarë dhe 1 italian.
Hetuesit shqiptarë dhe italianë besojnë se ky rrjet ka mundur të trafikojë disa tonë hashash drejt vendin fqinj.
Dy skafistëve të arrestuar 4 ditë më parë u është gjetur një letër me një listë kontaktesh dhe kodesh, të cilët dyshohet se u përkasin organizatorëve të trafikut dhe pritësve të sasisë së kanabisit.
Por pavarësisht këtyre të dhënave, organizatorët nuk janë identifikuar ende. Mësohet se skafistët nuk kanë dhënë në dëshmitë e tyre informacione të vlefshme për hetuesit.
Ata kane deklaruar se ishin paguar nga 2 mijë Euro vetëm për të kryer transportin. Edhe gomonia me motorët e fuqishëm nuk figuron e regjistruar në Shqipëri, çka e vështirëson hetimit për zbulimin e krerëve të grupit.
Autoritetet në Shqipëri e Itali po shkëmbejnë informacionet që disponojnë në përpjekje për të rënë në gjurmët e tyre. TV KLAN