Projekti për zonat industriale të Qeverisë duket se është kthyer në një dështim të plotë. Pas revokimit të projektit për krijimin e një zonë ekonomike në Shkodër, duket se të njëjtin fat po pëson edhe ajo e Spitallës.
Report TV, ka mësuar se në dhjetorin që sapo lamë pas, ka dështuar tenderi i dytë i organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për këtë qëllim.
Tenderi u shpall më 22 shtator, dhe të interesuarve ju la 3 muaj kohë për të paraqitur ofertat. Por deri më 23 dhjetor, kur qe edhe afati i fundit për pjesëmarrjen në procedurën konkurruese, nuk u paraqit asnjë ofertë.
Ideja e krijimit të zonave ekonomike u hodh fillimisht nga Qeveria Berisha, e cila shpalli 9 të tilla, por pa arritur ndonjë sukses të dukshëm.
Me marrjen e pushtetit, Qeveria Rama i quajti të dështuara përpjekjet për të nënta zonat, dhe paraqiti një projekt që parashikonte ndërtimin e tre zonave, në Spitallë, në Vlorë dhe në Koplik.
Projekti, sipas Qeverisë do të siguronte nxitje direkte dhe konkurruese për investitorët dhe se procedurat për zonat ekonomike tashmë janë shumë favorizuese, ndryshe nga ç?ishin në të kaluarën. Por edhe projekti i Qeverisë Rama nuk duket se do të japë fryte.