Një 17-vjeçare nga Marinza e Roskovecit prej më shumë se një muaji është larguar nga banesa dhe familjarët nuk kanë asnjë informacion se ku mund të jetë.
Kallëzimin në polici e ka bërë vetë babai i vajzës, Gramoz Redhi i cili ka thënë se e bija Ledia Redhi është larguar nga banesa me një bashkëfshatarin e saj, me të cilin dyshohet se kishte lidhje intime.
Por, që nga disa e largimit ata nuk kanë komunikuar me vajzën, ndërkohë që e kanë kërkuar tek të gjithë të afërmit, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të saj.
Sipas familjarëve, vajza ka komunikuar tre javë më parë me xhaxhain e saj, ku i ka thënë se ndodhet në Kosovë, por dyshimet janë shtuar, pasi numri me të cilin ajo ka telefonuar ka pasur prefiks greqie.
Ndërkohë, prej një jave ata nuk kanë komunikuar më me të.