Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Vusho Ajazi Lika ka deklaruar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se para dy muajsh ka mbërritur në Vlorë, një pajisje e teknologjisë së lartë IMCI Catcher. Sipas tij, problematike ishte fakti se kjo pajisje kishte hyrë e pa deklaruar në Shqipëri dhe për këtë arsye ai ka informuar Prokuroin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Sa i përket faktit nëse pajisja është përdorur për përgjim apo jo, kreu i SHISH tha se nuk disponon informacione të tilla. Sipas tij pajisja përdorej nga policia italiane për një trajnim të policisë shqiptare.
Pas kësaj jam thirrur nga Nishani dhe jam pyetur për këtë informacion. Ministrin e Brendshëm nuk e kam informuar," shtoi Ajazi duke u shprehur se nuk ka raportuar as tek kryeministri Rama pasi gjithçka ishte mbi bazën e dyshimeve dhe e pakonfirmuar.
"Duke qenë se ishte një dyshim, unë e ndava fillimisht shqetësimin me Prokurorin e Përgjithshëm. Ishte Presidenti Nishani ai që më kërkoi informacione," sqaroi kreu i SHISH.
Më tej kreu i SHISH tha se nevoja për një pajisjeje përgjimi në Shqipëri është legjitime, vetëm nëse përdoret për shkelësit e ligjit. Pyetjes nëse pajisja në fjalë përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, Ajazi iu përgjigj po, gjithmonë nëse ka kapacitete përgjuese.
"Nuk është tagri im për të përcaktuar nëse është pajisje përgjimi apo trajnimi," tha Ajazi.
Pyetjes së Luan Ramës nëse pas takimit me Nishanin, Ajazi duhej të ishte takuar sërish me Llalën, Ajazi i është përgjigjur duke thënë po. Por sipas tij Kryeprokurori nuk i ka kërkuar që të mbledhë më shumë informacione mbi pajisjen.
Nëse duhej të informohej kryeministri Rama, Ajazi tha sërish se informacioni që kishte ishte i pakonfirmuar dhe si i tillë nuk mund të informonte kryeministrin.